Brezovica thuajse pa borë: “Kështu nuk ka qenë kurrë

Brezovica thuajse pa borë: “Kështu nuk ka qenë kurrë

Në Brezovicë nuk mbahet mend një sezon kaq i keq, thonë biznesmenë dhe prodhues lokalë.

Për shkak të sasisë së pamjaftueshme të borës, sezoni pothuajse ka dështuar dhe humbjet financiare janë të mëdha, thonë ata.

Turistët që e vizitojnë rregullisht këtë qendër skijimi në Malin e Sharrit pajtohen, megjithëse thonë se Brezovica i ka hijeshitë e saj edhe pa borë.

Brezovica gjendet në qytetin me të njëjtin emër në territorin e Komunës së Shtërpcës – rreth 80 kilometra nga Prishtina. Konsiderohet si një nga qendrat më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

Këtë vit, sezoni i skijimit atje nuk ka filluar ende, për shkak se nuk ka borë të mjaftueshme.

Sllavisha Janiqeviq, i cili ka dyzet vjet që punon në qendrën e skijimit në Brezovicë, nuk e kujton këtë lloj sezoni në janar. Thotë se nuk mban mend as numër kaq të vogël turistësh – gjë të cilën e lidh me mungesën e borës.

“Më kujtohet që dikur ka pasur deri në tri metra borë, ndërsa aktualisht ka 15 deri në 20 centimetra. Prandaj nuk lejohet skijimi”, thotë Janiqeviq për Radion Evropa e Lirë.

Qendra e skijimit në Brezovicë ka nëntë teleferikë për të njëjtin numër të pistave të skijimit – më e gjata prej të cilave është 3.500 metra.

CATEGORIES
Share This