“Heke kerrin se me dalë t’kallxoj ty”/ 30-vjeçari gjuan me armë dhe kërcënon një person pas një konflikti për parking

“Heke kerrin se me dalë t’kallxoj ty”/ 30-vjeçari gjuan me armë dhe kërcënon një person pas një konflikti për parking

Mosmarrëveshjet për parkingje shumë shpesh kanë shkaktuar incidente, të cilat kanë eskaluar në rrahje e kërcënime serioze. Për të mos mbaruar me kaq, në këto raste shpesh përdoret edhe armët, qoftë thikat apo ato të zjarrit, që përveç se mbahen kundërligjshëm, përdorimi i tyre po cenon edhe sigurinë e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e tillë dhe mjaft e frikshme ka ndodhur dje në fshatin Dobërqan të Gjilanit, ku një rrugë u bë mollë sherri për dy qytetarë.

30-vjeçari i ka kërkuar viktimës që ta largojë menjëherë veturën nga rruga, duke i thënë ‘heke kerrin e lshoma rrugën se me të dalë t’kallxoj ty’.

Sinjali mëson se derisa viktima kishte parkuar automjetin para një lokali ku po bënte furnizim me produkte ushqimore, është përballur me të dyshuarin i cili i revoltuar që i ishte zënë rruga, ka gjuajtur me armë zjarri në ajër.

I shqetësuar dhe i frikësuar nga fjalët dhe veprimet e të dyshuarit, 19-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici. Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Ndërkohë atij i është sekuestruar arma ilegale bashkë me një karikator dhe fishekë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe të hetohet për dy vepra penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Kanosje’.

CATEGORIES
Share This