Presidenti i FC Ballkanit jep nga 17 mijë euro shpërblim për të gjithë futbollistët e tij
Skuadra e Ballkanit ka shkruar historinë duke u kualifikuar në grupet e Europa Conference League pas triumfit ndaj Shkupit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në “Todor Proeski”, skuadra e Ballkanit fitoi me rezultatin 1:2, kurse dje në kryeqytetin e Kosovës, Ballkani fitoi 1:0, për t’u kualifikuar tutje në Europa Conference League.
E për këtë sukses historik, Arsim Kabashi, presidenti i klubit të Ballkanit ka vendosur të shpërblejë ekipin e tij.
Nga 17 mijë euro do të marrin futbollistët e Ballkanit për këtë arritje fantastike – teksa në total ai do të shpenzojë rreth 400 mijë euro si shpërblim.
Kujtojmë se pas kualifikimit historik, Ballkani ka grumbulluar në arkat e klubit përplotë 3.2 milionë euro.
Pas kualifikimit, Ballkani do të jetë pjesë e shortit të Europa Conference League. Shorti mbahet sot, nga ora 14:30. Një fitore në fazën e grupeve do t’ia siguronte Ballkanit 500 mijë euro, kurse një barazim 166 mijë sosh.