S.A nga Maçiteva dënohet me 24 vite burg, për vrasjen e shikut të tij

Gjykata Themelore në Prizren, të hënën ka shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarin, Sylejman Ahmeti, duke e dënuar me 24 vite e 10 muaj burgim ku akuzohet se privoi nga jeta të ndjerin Sh.K.

Aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjykatës Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Ahmeti akuzohej për vrasje të rëndë për të cilën vepër gjykata i ka shqiptuar dënimin me burg në kohëzgjatje prej 24 vite kurse për veprën mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve i është shqiptuar dënimi me burg në kohëzgjatje prej 1 viti.

Me këtë rast gjykata në bazë të nenit 76 të KPPK ka shqiptuar dënimi unik prej 24 vite e 10 muaj.

Të akuzuarit Ahmeti i është konfiskuar arma AK-47.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren e ngarkon Sylejman Ahmetin se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020, në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e Liman Aliut./BetimiperDrejtesi

CATEGORIES
TAGS
Share This