“Ta fus plumbin n’kry”/ Mërgimtari ia bllokon hyrjen e shtëpisë dhe e kërcënon suharekasin nga kolona e dasmës

Ahengjet familjare këtë vit kanë shkaktuar shumë incidente, nga të shtënat me armë e deri te kërcënimet e përleshjet mes familjarëve. Derisa organizimet e tilla ende s’kanë mbaruar, edhe ngatërresat nuk po ndalen. Kështu ka ndodhur edhe të mërkurën në fshatin Duhël të Suharekës, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur para shtëpisë së një qytetari, i cili u kap me një mërgimtar që gjendej në një veturë në kolonën e dasmorëve. Qytetari ka deklaruar në Polici se ia kishin bllokuar hyrjen e shtëpisë, prandaj kjo bëri që ai t’i kërkojë shoferit të veturës që t’ia lirojnë rrugën, por hasi në rezistencë. 

Sinjali mëson se mërgimtari dyshohet se përveç që refuzoi ta lirojë atë hapësirë, ai edhe e ka fyer e sharë, sa ka eskaluar situata në kanosje. Sipas viktimës, ai ishte drejtuar me “Ta fus plumbin n’kry”, duke e ekspozuar më pas armën që mbante me vete, thotë burimi. 

Përballë kësaj situate ai ka lajmëruar Policinë, me ç’rast ka dhënë edhe deklaratë me detajet e rastit para hetuesve policorë, ku është shprehur se nuk i njeh dasmorët e as personin që e kërcënoi. 

Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në veprim për të bërë identifikimin e të dyshuarit dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “kanosje”.

CATEGORIES
TAGS
Share This