Sulmohet me mjet të fortë një person në Suharekë, Policia në kërkim të të dyshuarit
Një 45-vjeçar dje ka përfunduar në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, pasi dyshohet se u sulmua nga një person, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës bëjnë të ditur se viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai është transferuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtutjeshëm.
Spitali ka lajmëruar për rastin edhe Policinë e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë intervistuar viktimën, i cili ka deklaruar se është sulmuar me mjete të forta nga një person të cilin e ka identifikuar.
Njësitet policore kanë kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij, mirëpo ai nuk ndodhej aty, me ç’rast është shpallur në kërkim.
Me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.