Shtrenjtohet mbijetesa në Kosovë: Buka 35 cent në fillim të vitit, 60 cent tani

Nga 40 centë deri në 60 centë sillet çmimi i bukës në Kosovë, varësisht nga furra që e prodhon dhe qyteti.


Deri në fillim të vitit, çmimi ka qenë 35 centë. Në atë kohë ka pësuar rritje vende-vende deri në 50 centë.

Por, ditëve të fundit, në disa furra të Gjilanit – qytet në lindje të Kosovës – çmimi i një buke që peshon mbi 500 gramë, është rritur nga 50 në 60 centë.

Pronari i furrës “Shqiponja” atje, Përparim Maloku, thotë se janë disa faktorë që kanë çuar në shtrenjtim:

“…ngritja e çmimit të miellit dhe produkteve të tjera, por edhe mungesa e punëtorëve. Shumica e punëtoreve po kërkojnë të lëshojnë Kosovën dhe për t’i mbajtur në punë, duhet t’i rrisim pagat mujore”, thotë Maloku për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe prej Gjilanit, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nuk ka pasur lëvizje të çmimit të bukës së voni. Rritja e fundit ka qenë në fillim të këtij viti.

“Çmimi i bukës nuk ka ndryshuar, 50 centë kushton. Çmimi nuk është i arsyeshëm, por çka të bëjmë”, thotë Besmir Martinaj, pronar i furrës “Lindi” në lagjen “Dardania”.

Kosova është përballur me rritje çmimesh të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Hov më të madh atyre u ka dhënë pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë dhe lufta mes tyre ka shkaktuar çrregullime në tregje.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në muajin maj të këtij viti ka arritur në 12.5 për qind, nga 0.2 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Dhe, barra më e madhe e kësaj bie mbi qytetarë. Disa e kanë pensionin minimal 100 euro, e disa rrogën minimale nga 130 deri në 170 euro.

Sadik Kurteshi është pensionist dhe merr 100 euro në muaj. Ai thotë se familja e tij është 7-anëtarëshe dhe se, çdo ditë, blen nga gjashtë bukë, të cilat kushtojnë tri euro. Me këtë çmim, pensioni i Kurteshit shpenzohet gati i tëri vetëm për bukë.

“Unë pensionin si vjet, si sivjet, e marr 100 euro në muaj. Me rritjen e çmimeve, pensioni është zvogëluar. Qeveria duhet t’i mbështesë bizneset që të mos i rrisin çmimet”, thotë Kurteshi.

“Është shumë shtrenjtë, pagat nuk po rriten e çmimet vazhdimisht po”, thotë Luljeta Slivova. Ajo punon si farmaciste në sektorin privat, ku paga mesatare është rreth 380 euro në muaj.

Në Shoqatën e Mullisëve të Kosovës nuk pranojnë të komentojnë ngritjen e çmimit të bukës, por thonë se, ditëve të fundit, nuk ka pasur rritje të çmimit as të miellit, as të grurit.

Udhëheqësi i kësaj shoqate, Bashkim Zejnullahu, vetëm thotë se në treg ka sasi të mjaftueshme të këtyre produkteve.

“Në Kosovë ka sasi të miellit dhe grurit edhe për dy ose tre muajt e ardhshëm, pa llogaritur fushatën e korrje-shirjeve, që pritet të nisë muajin e ardhshëm”, thotë ai.

Çmimi për një kilogram miell aktualisht është rreth 78 centë, në krahasim me vitin e kaluar kur ka qenë 52 centë.

Nga zyra për informim e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë thonë se inspektorët e tregut kanë konfirmuar rritjen e çmimit të bukës në disa qytete, nga 50 në 60 centë.

“Inspektorët e tregut kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm për të vlerësuar nëse ngritja është pasojë e ngritjes së çmimeve të produkteve të tjera, si: mielli, vaji… apo është ngritje artificiale dhe e pajustifikueshme. Pas vlerësimit do të merren masa, në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Tregtisë, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Aty nuk specifikohet se çfarë masash mund të merren dhe nëse çmimi i bukës do të lirohet.

Kosova importon sasi të madhe të miellit. Në vitin 2021, vendi ka importuar miell në vlerë prej 2.1 milionë eurosh, ndërsa ka eksportuar sasi në vlerë prej 89 mijë eurosh.

Vitin e kaluar, sasia e grurit të importuar ka arritur vlerën e rreth 11 milionë eurove, ndërsa janë eksportuar sasi prej rreth dy milionë eurosh.

Në Kuvendin e Kosovës, më 30 qershor, është mbajtur një debat për situatën e krijuar nga rritja e çmimeve.

Partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa, duke reduktuar akcizën dhe normën e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) në derivate të naftës dhe produkte të domosdoshme për tre muaj – me mundësi vazhdimi, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

TVSH-ja është një tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime, ndërsa akciza është një taksë që zbatohet mbi produktet e akcizës, si ato energjetike, duhani apo alkooli.

Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë thënë se nëse reduktohet TVSH-ja, zvogëlohen të hyrat në Administratën Tatimore të Kosovës, që mbushin arkën e shtetit.

Më 22 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar një udhëzim administrativ për rregullimin e çmimeve të derivateve të naftës, i cili ka hyrë në fuqi më 27 qershor. “Tavani i çmimit” të tyre, tash për tash, përcaktohet çdo 24 orë. Maksimali për naftën është 1.84 euro, ndërsa për benzinën 1.75 euro.

CATEGORIES
TAGS
Share This