Erërat e forta rrëzojnë shtyllën elektrike në oborrin e një shtëpie në Suharekë, 60-vjeçari e pret me sëpatë
Moti i ligë ditët e fundit ka shkaktuar dëme të mëdha gjithandej Kosovës. Si pasojë e erërave të forta janë raportuar disa raste ku lisat e mëdhenj janë rrëzuar duke rrezikuar jetën e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur dje në fshatin Gelancë të komunës së Suharekës, si pasojë e erërave të forta është rrëzuar pjesërisht një shtyllë elektrike e cila ndodhej në oborrin e një shtëpie.
Për të evituar rrezikun që u kanosej banorëve të shtëpisë, kryefamiljari ka vendosur që ta presë me sëpatë shtyllën elektrike, në mënyrë që ajo të bie e gjitha në tokë.
Lidhur me këtë, KEDS ka njoftuar edhe Policinë, të cilët kanë intervistuar 60-vjeçarin.
Ai ka bërë të ditur se disa herë ka paraqitur kërkesë në kompaninë KEDS që kjo shtyllë elektrike të largohet nga oborri i tij.
Me vendim të prokurorit, ndaj 60-vjeçarit është iniciuar rasti ‘Dëmtim prone’.
Kujtojmë se si pasojë e rrëzimit të lisave nga erërat e forta, një 32-vjeçar humbi jetën ditë më parë në Prishtinë, ndërsa një tjetër ka mbetur e lënduar rëndë.