Sot dalin shtesat prej 100 euro për pensionistët
Qeveria e Kosovës pak ditë më parë ka miratuar vendimin për ndarjen e shtesave prej 100 euro për përfituesit e skemave sociale, pensionistëve, studentëve dhe punëtorëve në sektorin publik e privat, raporton Gazeta Sinjali.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se shtesat për pensionerët do të dalin në pensionin e radhës, pra sot ose më së largu deri të hënën.
“Sa i përket pensionistëve, shtesat do të merret në datat që u dalin pensionet. Por besoj se është këtë të premte. Nëse arrihet të bëhen të gjitha kalkulimet, por më së largu të hënën tjetër”, kishte deklaruar në një emision në ATV.
Punëtorët e sektorit publik po ashtu do t’i marrin shtesat në muajin prill, ndërsa për punëtorët e sektorit privat dhe studentët, Murati ka thënë se do të duhet pak më shumë kohë.
Ndryshe, sipas vendimit të Qeverisë, ata që përfitojnë nga skemat sociale, punëtorët e sektorit privat dhe publik dhe studentët do të marrin nga 100 euro shtesë.