Reuters e përgënjeshtron Rusinë e cila po propagandon me fotografi për luftën në Kosovë

Një ekip i Kontrollit të Fakteve në agjencinë ndërkombëtare të lajmeve, Reuters e ka përgënjeshtruar Misionin e përhershëm të Rusisë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), i cili kishte publikuar një fotografi nga lufta e vitit 2003 në Irak, duke e interpretuar atë si foto gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999 që e ndalën luftën në Kosovë.

Një fotografi e vitit 2003 që tregon Bagdadin e përfshirë në flakë pas një sulmi raketor është shpërndarë në një postim në Twitter nga llogaria e Misionit Rus në OSBE. Teksti në Tweet i referohet ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në luftën e Kosovës në vitin 1999.

Llogaria e verifikuar e ka shpërndarë fotografinë më 24 mars së bashku me tekstin ku thuhej: “Më 24 mars 1999 NATO-ja e udhëhequr nga SHBA-ja filloi aktin e saj të agresionit të paligjshëm dhe të paprovokuar kundër Republikës Federale të atëhershme të Jugosllavisë, i cili zgjati 78 ditë”.

“Përshkrim i gabuar. Fotografia tregon ngjarje nga lufta e vitit 2003 në Itak. Nuk ka lidhje me fushatën e bombardimeve të NATO-s në Serbi në vitin 1999. Ky artikull është prodhuar nga ekipi i Kontrollit të Fakteve të Reuters”, shkruan agjencia.

Fotografia e përdorur në tweet mund të gjendet në Getty me mbishkrimin “21 mars 2003, në Bagdad, Irak”.

Fushata e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara filloi në vitin 1999 dhe kishte për qëllim ndalimin e vrasjes dhe dëbimit të civilëve shqiptarë nga Kosovë nga trupat e presidentit të ndjerë nacionalist Sllobodan Millosheviq.

NATO filloi bombardimet më 24 mars dhe ato vazhduan për 78 ditë derisa Millosheviqi u pajtua t’i tërhiqte forcat e tij nga Kosova dhe t’i jepte fund vrasjes së civilëve shqiptarë. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE-së, shkruan Reuters.

Propaganda ruse me fotografi të rreme – të përshkruara si të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë – është intensifikuar që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë.

Ambasada e Rusisë në Afrikën e Jugut më herët e kishte publikuar të njëjtën fotografi nga Bagdadi, duke përmendur në përshkrim bombardimet e 1999 nga NATO.

Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Florian Bieber e kishte provuar se fotografia ishte nga lufta në Irak, pasi e kishte gjetur burimin origjinal të saj.

“Lajm i rremë: Ambasada e Rusisë thotë se lufta në Kosovë ishte më keq (ose e krahasueshme) me sulmin në Ukrainë, duke postuar një fotografi nga lufta e Irakut”, pati shkruar Bieber.

CATEGORIES
Share This