Disa të dhëna për fshatin Bllacë
Shtrihet rreth 10 km në veri të Therandës. Është vendbanim i ndarë në disa lagje, jo larg njëra prej tjetrës.
Lagjet kryesore të këtij vendbanimi: Zekolli, Fangu, Kyçyku, Suka dhe Bajraktari si familjet Nikaj dhe Selimi.
Mikrotoponimet më karakteristike: Bregishtë, Te Pojata, Oborrishtë, Drumi, Rrushtake, Zllavincë, Poskaq, Sukaj, Lugi i Botës, Ara e Qukës, Ara e Kermemës, Te Kisha etj.
Është vendbaiiim mjaft i vjetër që dëshmohet më gjurmët e shumta të kulturës materiale. Në anën perëndimore të fshatit, ka ekzistuar vendbanimi i mëparshëm, që sot quhet Bllaca e Vjetër (sot tokë e punuar), ku janë ruajtur Mikrotoponimet Oborrishtë, Te Bimari etj. Në vendin Bregishtë, në mes të fshatit, pothuajse çdo herë dalin mbeturina të enëve, qeramikë, tjegulla etj. Në këtë pjesë është ruajtur edhe mikrotoponimi Te Kisha, ku thuhet se ka ekzistuar një kishë e vjetër iliro-shqiptare. Në lagjen e Zekollëve janë disa varreza të moçme të cilat quhen Varret e Shkive. Mirëpo, ato ishin varreza shqiptare të besimit të krishterë, pasi që popullata e islamizuar ato varreza jomyslimane i quante të “shkive”.
Në dokumentet e shkruara përmendet në krisobulën e Deçanit me 1330 me emrin “Bllatace”. Si feud përmendet edhe në kartën e perandorit Dushan dhënë manastirit të Shën Mëhillit e Gabrielit në afërsi të Prizrenit e vit. 1348. Në këtë kartë, në katundin Bllacë gjejmë këtë shënim: “Gon Arbanas s sinovi”. Më vonë, me emrin Bladci përmendet në defterin kadastral të Vilajetit Vëllk të vitit 1455 me 34 shtëpi e 8 beqarë.
Si vendbanim me emrin Placa është i regjistruar në një hartë austriake të hartuar në bazë të shënimeve të vitit 1689.
Në një relacion të arqipeshkvit Pjetër Karagiqit të vitit 1725, shkruan se në Prizren famullitar dhe misionar apostolik është studenti i Kolegjit Ilirik të Loretos, don Pjetër Bytyçi. Këtij misioni i takon edhe fshati Blazza me 10 shtëpi me 20 antarë besimtarë të krishterë.
Me emrin Bllaca është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h).
Gjatë sundimit osman për shkak të rezistencës fshati ishte djegur disa herë. Pushteti turk në vitin 1909 kishte bërë djegien e 16 shtëpive të fshatit, rrahjet e banorëve, marrjen e 89 bllacjanëve për t’i dënuar, por pjesa më e madhe shpëtoi. Më 1910 Bllaca u dogj bashkë me shumë fshatra të tjerë. Bllaca, pësoi edhe pas okupimit nga Serbia, në në njerëz, ashtu edhe në shkatërrimin e fshatit.
Pas pushtimit serb të Kosovës më 1912 shumë familje u detyruan me dhunë të largohen nga fshati dhe të shpërngulën në Shqipëri, Turqi e gjetiu. Mirëpo, patrioti nga ky vendbanim, Ramë Bllaca ndikoi shumë te ky fshat dhe banorët e fshatrave të tjerë që mos të shpërngulën nga vendlindja për në Turqi.
Shënimet statistikore:
sipas shënimeve të konzullit rus Jastrebovil rreth vitit 1879 kishte 60 shtëpi shqiptare;
në fund të shek. XIX -100 shtëpi;
në regjistrimin e vitit 1913 – 1.052 banorë;
në vitin 1918 – 107 shtëpi me 619 banorë shqiptarë;
në vitin 1921 – 132 shtëpi me 897 banorë;
në vitin 1948 – 189 shtëpi me 1330 banorë;
në vitin 1953 -204 shtëpi me 1418 banorë;
në vitin 1961 – 216 shtëpi me 1527 banorë (1506 shqiptarë, 21 të’tjerë);
në vitin 1971 – 229 shtëpi me 1950 banorë (1949 shqiptarë, 1 tëtjerë);
në vitin 1981 – 274 shtëpi me 2601 banorë shqiptarë.
Para agresionit serb në vitin 1998-99, sipas vlerësimit të banorëve kishte 450 familje me rreth 4700 banorë. Në bazë të shënimeve të Kuvendit Komunal në vitin 2000 kishte 4180 banorë. Nga sulmet e agresorit serb në vitin 1999 në këtë fshat u vranë e u masakruan 18 banorë të këtij fshati (6 dëshmorë, 7 persona të vrarë në Korishë më 15.05.1999 dhe 5 persona të tjerë të masakruar në Bllacë). Një person është i zhdukur. Nga 586 shtëpi banimi sa kishte fshati u dogjën dhe u shkatërruan 535 shtëpi si dhe shumë objekte të tjera ndihmëse dhe ekonomike. Është djegur e shkatërruar shkolla e fshatit me një pjesë të dokumentacionit dhe biblioteka e saj dhe shumë biblioteka private.
Një kohë ishte edhe Shtabi i një Njësitit të UÇK-së. Gjysma e popullatës u dëbua në Shqipëri e një pjesë u strehua nëpër male. Është granatuar xhamia e ndërtuar në vitin 1711 dhe shkatërruar minarja e saj.