Numër i madh i parave të falsifikuara në Kosovë: Kaq dënohen personat që merren me këtë veprimtari
Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet burg në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.
Janë shtuar rastet e raportuara në Polici për identifikim të parave të falsifikuara.
Sipas statistikave që i posedon Agjencia e Kosovës për Forenzikë, në tremujorin e vitit 2022 nga 200 raste që kanë pranuar, janë gjetur 60 kartëmonedha të falsifikuara.
Në 24 orët e fundit Policia e Kosovës ka njoftuar për shtatë raste, ku është raportuar për kartëmonedha prej 100 euro të falsifikuara.
Sipas raportit të Policisë, pesë raste të falsifikimit të parasë janë raportuar në rajonin e Prishtinës, ndërsa dy në Gjakovë.
Kartëmonedha që momentalisht po falsifikohet më së shumti është 100 euro.
Sipas Kodit Penal të Kosovës neni 296, kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet burg në Kosovë.
Ndërkaq kur vepra penale nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni ka të bëjë me një shumë të parave të falsifikuara që tejkalon njëqindmijë (100.000) Euro, kryesi dënohet me jo më pak se tre (3) vjet burgim.
Më poshtë keni të plotë Nenin 296 nga Kodi Penal:
Falsifikimi i parasë
1. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.
2. Kushdo që duke ditur se paraja është e falsifikuar merr, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdorë ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.
3. Kushdo që pranon paranë e falsifikuar prej pesëdhjetë (50) Euro ose më pak duke besuar se është e vërtetë dhe pastaj e përdorë duke ditur se është e falsifikuar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
4. Kushdo që ka dijeni për prodhimin apo përdorimin e parave të falsifikuara dhe këtë nuk e raporton, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
5. Kur vepra penale nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni ka të bëjë me një shumë të parave të falsifikuara që tejkalon njëqindmijë (100.000) Euro, kryesi dënohet me jo më pak se tre (3) vjet burgim.
6. Paraja e falsifikuar dhe pajisjet për prodhimin apo ndryshimin e saj konfiskohen.