Mbyllet depoja kryesore e Viva Fresh Store, u gjetën të fshehura 100 mijë litra vaj

Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës sonte kanë ndërmarrë aksion të inspektimit dhe bastisjes së depos kryesore të zinxhirit të marketeve “Viva Fresh Store” në Çagllavicë.

Demokracia.com ka mësuar se aksioni është zhvilluar për shkak të dyshimeve të mashtrimit me çmimin e vajit dhe fshehjen e këtij produkti nga raftet e marketeve, me arsyetimin se mungon.

Sipas burimeve brenda policisë, depoja e “Viva Fresh Store” në Çagllavicë është mbyllur për afat të pacaktuar dhe lënda ka shkuar në gjykatë.

“E kanë mbyllur në afat të pacaktuar depon e ‘Viva Fresh Store’. Në vendin e ngjarjes ka qenë kryeinspektorja e tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Lebibe Haliti”, kanë thënë këto burime për Demokracia.com.

Tutje bëhet e ditur se gjatë inspektimit në këtë depo janë gjetur stoqe pa mbulueshmëri me dokumente dhe çmime në shpërputhje me rregullat e tregut

“Në stoqet e depos së Viva Fresh Store janë gjetur 100 mijë litra vaj, të cilat dyshohet se janë fshehur qëllimisht dhe nuk janë hedhur në treg”, thonë tutje burimet policore.

Aksioni është zhvilluar nga ora 18:00 deri në orën 21:45.

CATEGORIES
Share This