Uk Lushi: Serbia dhe Putini po përgatisin planin e ndërhyrjes në veri të Kosovës
Në kohën e agresionit rus në Ukrainë, aktivisti shqiptar në SHBA njëherësh ish- luftëtari i UÇK-së nga Batalioni Atlantiku, Uk Lushi, ka paralajmëruar një sulm të mundshëm të Serbisë në veri të Kosovës, në bashkëpunim me Rusinë.
Lushi, duke u thirrur në shërbime të inteligjencës, ka thënë se Serbia dhe Putini janë duke përgatitur planin e një inkursioni në veri të Kosovës.
Ai ka kërkuar nga NATO, KFOR-i, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe populli i Kosovës që të jenë gati.
“Sipas disa shërbimeve të inteligjencës, Serbia dhe Putini janë duke përgatitur planin e një inkursioni në veri të Kosovës. NATO, KFOR-i, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe populli i Kosovës duhet të jenë gati”, ka shkruar Lushi në një postim në Twitter.
Ndryshe, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka informacione se Serbia është duke mobilizuar rezervistët e saj në Serbi dhe Kosovë.
Ndërsa, ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, ka vizituar sot njësitet speciale të Policisë Serbe, të cilat po stërviten pranë kufirit me Kosovën.