Vëmendja në Suharekë te derbi Ballkani – Llapi, Thaqi dhe Shillova deklarohen para ndeshjes
Suhareka do të ketë vëmendjen e futbolldashësve kosovar në fundjavë. Kjo ngase aty do të përballen dy prej pretendetëve për titull të kampionit këtë edicion.
Të dielën, me 6 mars, stadiumi i qytetit në Suharekë do të jetë arenë e ballafaqimit mes Ballkanit dhe Llapit.
Fitorja në këtë sfidë do të thoshte shumë për dy taboret.
Ballkani është lider i tabelës me 45 pikë, gjashtë më shumë se Llapi që pozicionohet në vendin e katërt, por që është në hap për titull bashkë me dy rivalët e Anamoravës, Dritën (41) dhe Gjilanin (43).
Të dyja skuadrat kanë bërë përgatitje intensive për këtë ndeshje dhe kërkojnë vetëm rezultat pozitiv të dielën.
Para ndeshjes të së dielës, futbollisti i Ballkanit, Armend Thaqi dhe ai i Llapit, Alban Shillova janë prononcuar për FrontOnline.
Dy të futbollistët janë optimistë për këtë ndeshje.
Thaqi: Ndeshja më e rëndësishme e fazës së tretë të kampionatit
Mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi është i vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes ndaj Llapit në fundjavë.
Ish-anëtari i Prishtinës dhe Gjilanit, megjithatë, synon vetëm rezultat pozitiv.
“Na pret ndoshta ndeshja më e rëndësishme e gjithë fazës së tretë të kampionatit dhe shumë ndeshje e vështirë ndaj Llapit që është në formë fantastike. Jemi të vetëdijshëm që do të jetë e vështirë, por synojmë të vazhdojmë me serinë pozitive edhe në këtë derbi që e kemi të dielën”, ka thënë fillimisht Thaqi duke folur më pas për atmosferën në skuadër:
“Atmosfera është fenomenale dhe kjo na jep besim që mundemi të arrijmë diçka. Secili trajner e ka metodën dhe filozofinë e vet dhe mendoj se skuadra është kapur shumë mirë me trajnerin Daja. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë formë”.
Sa i përket titullit kampion, Thaqi është optimist.
“Titulli kampion është shumë larg dhe ka shumë ndeshje në vazhdim. Do t’ia bëjmë punën deri në fund me maksimum”, përfundoi Armend Thaqi.
“Luajmë për rezultat pozitiv, atmosfera në skuadër është fantastike”
Sulmuesi i Llapit, Alban Shillova është deklaruar para ndeshjes me Ballkanin në Suharekë.
Ai ka synim vetëm rezultat pozitiv në Suharekë.
“Normalisht që në Suharekë udhëtojmë për rezultat pozitiv duke parë formën aktuale të skuadrës së Llapit. Besoj në skuadër që e kemi edhe shpresoj shumë që nga kjo ndeshje të dalim me rezultat pozitiv”, deklaroi fillimisht Shillova.
Tutje, Shillova thotë se organizimi është fenomenal në “Zahir Pajaziti”.
“Atmosfera në skuadër është fantastike në të gjitha aspektet duke filluar nga organizimi, mbështetja nga kryesia e gjithçka tjetër është shumë në rregull”, theksoi ish-futbollisti i Prishtinës.
Për fund, ai tregon se nuk e kanë presion ta fitojnë titullin e kampionit.
“Sa i përket titullit, besoj se do të shkojmë ndeshje pas ndeshje, nuk e kemi marrë me presion vetëm se në çdo ndeshje do të futemi duke bërë maksimumin”, përfundoi Alban Shillova.