Bota në ‘ethe’ pas sulmit rus në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë

Sot, në orët e para të mëngjesit, Ukraina ka raportuar se forcat ruse kanë bombarduar termocentralin bërthamor në Zaporizhzhia, që është më i madhi në Evropë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ukraina njoftoi se trupat ruse kanë marrë kontrollin e centralit bërthamor, Zaporizhzhia, disa orë pas shpërthimit të zjarrit në objektet e tij. Derisa shërbimet ukrainase të emergjencës kanë thënë se kanë shuar zjarrin, i cili ka qenë jashtë kontrollit në këtë central. 

Në anën tjetër, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka njoftuar se është në kontakt me autoritetet ukrainase pas zjarrit në centralin bërthamor në Zaporizhzhia. Kjo agjenci ka shkruar se “është në dijeni të raportimeve për granatimet në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia” dhe se është në kontakt me autoritetet ukrainase për situatën. 

Sipas një udhëheqësi të një qyteti afër termocentralit bërthamor uzinat e këtij centrali ishin përfshirë nga zjarri pas luftimeve intensive në atë zonë. 

Pas sulmit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian duke thënë se rrezikohet e gjithë Evropa.

Ai tha se bombardimi i këtij centrali bërthamor mund të shkaktojë fatkeqësi më të madhe se ajo e Çernobilit që ndodhi në vitin 1986 pasi ky central është më i madhi në Evropë.

Ndërsa, kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi se do të kërkojë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në kompleksin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë.

Pas këtij sulmi, reagoi edhe SHBA-ja. Sekretarja amerikane e Energjisë, Jennifer Granholm, ka njoftuar se ka vendosur të aktivizojë Ekipin Amerikan të Reagimit ndaj Incidenteve Bërthamore.

Sulmet e tilla, sipas kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau, duhet të ndalen menjëherë. 

Ndryshe, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka prezantuar të enjten sanksione të reja kundër oligarkëve rusë dhe personave tjerë të rrethit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin tha “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj.

Ndërkohë, në anën tjetër, negociatorët rusë dhe ukrainas thanë se kanë rënë dakord të organizojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve.

CATEGORIES
Share This