Situata në Ukrainë, Osmani: Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë për të ndaluar çdo destabilizim në rajonin tonë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar sot në orët e hershme të mëngjesit pasi Kievi zyrtar ka njoftuar se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Presidentja e vendit në një postim në Twitter shkruan se Kosova qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj, ndërkohë që theksoi se do të bashkëpunojnë me aleatët për të ndaluar çdo destabilizim në rajonin tonë.
“Kosova qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj, ndërkohë që ata po përballen me pasojat e luftës si rrjedhojë e akteve të agresionit të Rusisë.
Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë për të ndaluar çdo destabilizim në rajonin tonë. Hegjemonia e Rusisë nuk do të ketë sukses. Liria dhe demokracia do të mbizotërojnë”, shkruan Osmani.
Presidentja ka shpërndarë në Facebook edhe një pjesë të deklaratës së saj, thënë më 17 shkurt në Kuvendin e Kosovës.
“Lufta në Ukrainë, si rezultat i akteve te agresionit dhe sulmeve të paprovokuara të Rusisë, na e përkujton se sa e vlefshme është liria. Në ditë si kjo, kur shohim horrorin e luftës me të cilin përballet ky shtet, qëndrojmë me popullin ukrainas dhe shprehim solidaritetin tonë të thellë. Imazhet e tmerrshme nga Ukraina na përkujtojnë sërish rëndësinë e aleancave mes popujve demokratik, si e vetmja mënyrë për t’i dalë ballë hegjemonisë së Rusisë dhe të satelitëve të saj.
Prandaj, jemi në koordinim të vazhdueshëm me aleatët tanë, për të mos lejuar destabilizimin e rajonit tonë.
Hegjemonia ruse do të dështojë sërish. Liria dhe demokracia do të triumfojnë!”.
Ndryshe, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleb, ka shkruar në Twitter se Putini ka nisur “pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës”.
“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulme. Kjo është një luftë agresioni. Ukraina do të mbrojë veten dhe do të fitojë. Bota mund dhe duhet ta ndalojë Putinin. Koha për të vepruar është tani”, ka shkruar ai në Twitter. /Telegrafi/