SHBA’ja i kërkon Qeverisë që makineria ushtarake dhuruar FSK-së të mos përdoret nga forcat e tjera pa aprovimin e tyre
Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportohet se i kanë dërguar notë diplomatike Qeverisë së Kosovës për furnizimin me armatim
Koha.net ka raportuar sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që makineria ushtarake dhuruar FSK-së të mos përdoret nga forcat e tjera të sigurisë në Kosovë, pa aprovimin e amerikanëve
Sipas këtij raportimi, këtë kërkesë ia kanë shprehur Ministrisë së Punëve të Jashtme nëpërmjet një note diplomatike, të cilën duan që ta shndërrojnë në marrëveshje.
Nota fillimisht u referohet diskutimeve të mëhershme ndërmjet Qeverisë së SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës në lidhje me ndihmën që ofrohet në bazë të grantit. Ajo derivon nga Akti i Ndihmës për të Huajt të vitit 1961 dhe Aktit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.
Ndryshe, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i kishte pranuar në gusht të këtij viti 55 automjete ushtarake të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këto pajisje ushtarake, sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, do të ndihmonin FSK-në që të ngrehë kapacitetet e saj për ruajtjen e garantimin e paqes.
Osmani kishte thënë se ndihma e SHBA-së në transformimin e FSK-së është e një rëndësie të veçantë.
“Këto pajisje do t’iu ndihmojnë juve edhe më tej që të zhvilloni kapacitetet tuaja, të parapara në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, mbështetur në misionin dhe mandatin tuaj të ri. Këto do të ndikojnë që aftësitë operacionale të FSK-së të rriten dukshëm si dhe që ushtria jonë të jetë plotësisht ndërvepruese me partnerët tonë, sidomos me SHBA-në, duke ndikuar që së bashku me ta të jetë garantuese e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon, por në gjithë botën”, tha Osmani gjatë ceremonisë së pranimit të këtyre automjeteve.