Çifti italian përballet me ‘mysafirin e paftuar’ në ballkonin e shtëpisë, ariun e murrmë
Gruaja italiane, e cila mendonte se po hetonte një hajdut në ballkonin e shtëpisë së saj, ka përshkruar ballafaqimin me një ari të rrallë ngjyrë kafe.
E përditshmja “The Guardian” tregon se ariu ishte ngjitur në ballkonin e dhomës së gjumit në Pescosolido, një fshat në provincën Lazio të Frosinone.
Kjo vetëm disa ditë pasi një ari u pa duke u larë në shatërvanin e një fshati fqinj.
Gruaja, Annalisa Castagna dhe bashkëshorti i saj, Claudio Parravano, dolën ballë për ballë me ariun mbrëmjes e së dielës të 31 tetorit.
Ariu përfshihet në një nëngrup të rrezikuar në mënyrë kritike të ariut të murrmë që jeton në malet Apenine që shtrihen në rajonet Abruzzo, Lazio dhe Molise të Italisë.
Fillimisht bashkëshortët, pasi dëgjuan zhurma pak pas mesnate, menduan se në ballkonin e tyre të katit të parë kishte hyrë një hajdut.
Kështu, dolën jashtë për të hetuar, duke përdorur dritën e celularëve të tyre.
“Praktikisht, bërtita në fytyrën e ariut”, ka shkruar Castagna në një postim në platformën Facebook.
“Ariu m’u përkul dhe u përpoq të më arrinte me putrat e tij. Nën dritën e zbehtë të celularit, munda t’i numëroja të gjithë dhëmbët dhe të shihja gjuhën e kuqe”, ka përshkruar gruaja çastin e frikshëm.
Ajo u fut sërish brenda, ndërsa Parravano u hodh mbi ballkon për t’i shpëtuar kafshës, duke shkaktuar lëndime të lehta.
Më pas, ariu iku, duke lënë jashtëqitjet në ballkon.
Ariu ishte i frikësuar, ndoshta edhe më shumë se ne”, ka thënë Castagna.
Ajo ka shtuar se “frika ishte e madhe dhe falënderojmë Zotin që nuk ndodhi asgjë. Kërkojmë nga bashkëqytetarët tanë që të tregohen të kujdesshëm dhe shpresojmë që përgjegjësit të sigurojnë që ariu të kthehet në habitatin e tij natyror pa u lënduar”.
“The Guardian” sqaron se ballafaqimi me të erdhi disa ditë pasi një ari i murrmë u zhyt në shatërvanin e sheshit kryesor në San Donato Val di Comino, një fshat aty pranë me afro 1 mijë e 200 banorë, ku herë pas here arinjtë janë parë në rrugë.
Ndërkaq, banorja tjetër Vania Tramontozzi, ishte ajo që bëri foto dhe i ndau ato me grupin në Facebook, Visit San Donato Val di Comino.
“Bashkëshorti im është menaxheri i lokalit pranë sheshit. E pashë ariun aq të qetë dhe të relaksuar në shatërvan rreth orës 19:45 kur kishte edhe disa njerëz përreth, ishte shumë emocionuese”, ka thënë ajo.
Këto dy fshatra ku është parë ariu ndodhen afër parkut të madh kombëtar të Abruzzo, Lazio dhe Molise, ndryshe shtëpia e arinjve të rrezikuar, nga të cilët vlerësohet se kanë mbetur vetëm 50.
Nga ana tjetër, arinjtë e atyshëm priren të hyjnë në zonat e banuara më shumë mes shtatorit dhe nëntorit, por nuk dihet nëse janë agresive ndaj njerëzve.
Daniela D’Amico, zëdhënëse e parkut kombëtar, ka treguar se “ekspertët nga parku kombëtar shkuan në Pescosolido për të kuptuar më mirë se çfarë ndodhi të dielën mbrëma, por është pak e çuditshme të dëgjosh se ariu arriti të ngjitej në ballkon”.
Sipas saj, këta arinj të murrmë që shkojnë drejt qyteteve në kërkim të ushqimit gjatë vjeshtës janë ose femra me këlyshë ose arinj të rinj”.
“Arinjtë janë oportunistë dhe ndjekin stomakun e tyre…në këtë periudhë ata duhet të hanë shumë për të përballuar dimrin”, ka shtuar zëdhënësja.
“Nuk është se janë të kequshqyer. Në male ka ushqim të bollshëm. Por qëndrimi në mal është i rrezikshëm për të rinjtë, të cilët do të duhet të ndajnë territorin dhe ushqimin e tyre me arinjtë e rritur”, ka treguar ajo.
Në vitin 2019, dega italiane e Fondit Botëror të Kafshëve të Egra ka paralajmëruar se ariu i murrmë do të përballej me zhdukjen.