Ministria e Shëndetësisë miraton dhënien e vaksinës Pfizer te fëmijët 12-15 vjeç

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim kundër COVID-19 për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç (pa indikacione shëndetësore) me vaksinën Pfizer BioNTech.

MSH ka bërë të ditur se vaksinimi i kësaj grup-moshe mund të bëhet në të gjitha qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, vetëm në prani të prindit apo kujdestarit ligjor.

Për vaksinimin e fëmijëve të kësaj grup-moshe, prindërit e tyre ose kujdestarët ligjorë nuk kanë nevojë të caktojnë paraprakisht termin, por vetëm të paraqiten në qendrën e vaksinimit në komunën përkatëse.

Sipas ministrisë, ky vendim është bazuar në rekomandimet e EMA, FDA, CDC, dhe në praktikat e shumë shteteve të cilat deri tash kanë arritur shkallë të konsiderueshme të vaksinimit të fëmijëve të kësaj moshe me vaksinën kundër COVID-19.

Në njoftim thuhet se ministria i inkurajon prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër COVID-19, si mënyrën më të sigurt për parandalimin e infeksionit COVID-19 në mesin e fëmijëve.

CATEGORIES
TAGS
Share This