Qytetarët për rritjen e çmimeve: E kemi të vështirë të mbijetojmë për shkak të pagave të ulëta

Shtrenjtimi i artikujve ushqimorë ka alarmuar qytetarët e Kosovës, të cilët po ankohen se e kanë të vështirë të mbijetojnë edhe për shkak të pagave të ulëta.

Ngritja e çmimeve po vërehet gati kudo dhe qytetarët kërkojnë nga institucionet që të ndërmarrin masa. Ndërkaq, shitësit në tregun e pemëve dhe perimeve në Prishtinë thonë se kjo varet nga shteti.

Esat Haxha, shitës në tregun e Prishtinës, tha se çmimet së fundmi kanë shënuar rritje dhe se ka ankesa edhe nga qytetarët.

 “Çmimet çdo ditë vetëm sa po rriten, njerëzit janë pa punë, jetojnë me ndihma sociale. Çmimet në treg kanë ndryshuar nga pak, si pemët, patatet. Nuk varet prej nesh, por nga shteti, varet nga më të mëdhenjtë që nuk dalin të kontrollojnë se çfarë po bëhet me çmimet. Askush nuk po e merr parasysh, për ne askujt nuk po i intereson. Njerëzit po ankohen. Vjen pensionisti me 70-80 euro dhe pyet tri herë sa është çmimi, pasi që ai nuk ka. Gjithkush ka qejf të blejë, por nuk ka para. Krejt janë me pensione e me ndihma sociale,” ka thënë Haxha.

Ndërkaq, Bajram Ramadani tregon vështirësitë për shitjen e produkteve pas shtrenjtimit të fundit.

 “Po normal që ankohen, xhepat e thatë krejt i kemi, askush nuk ka rezerva ose rroga. Pensioni me 100 euro e 200 euro rrogë, çdo send është i shtrenjtë për neve, çdo send që afrohesh e sheh se është shtrenjtë,” tha ai.

Shtrenjtimin e çmimeve të produkteve ushqimore e ka hall edhe pensionisti, Muharrem Beka, i cili mbijeton me 80 euro pension.

Edhe Zejnullah Ferati, shprehet i shqetësuar me shtrenjtimin e fundit të çmimeve të artikujve ushqimorë.

Çmimet i kanë rritur. Është keq. Për qytetarët është problemi i madh. Është keq që ua ka lënë njerëzve nëpër markete sa të donë vetë t‘i rrisin çmimet,” ka thënë Ferati për KP.

Përkundër këtyre ankesave, kryeministri, Albin Kurti ka deklaruar se paralajmërime të tilla për rritje të çmimeve janë ogurzeza dhe kanë efekte negative për qytetarët.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në shumë qytete të Kosovës, një bukë kushton 50 centë.

Rritje të çmimeve kanë pësuar edhe produktet të tjera ushqimore bazë si perimet dhe produktet e qumështit.

Agjencia e Statistikave e Kosovës ka bërë me dije se ngritja e çmimeve është vërejtur te produktet e mishit, qumështit dhe perimeve.

“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”, thekson ASK.

Ndryshe, paga minimale aktualisht në Kosovë është 135 euro për punonjësit nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35-vjeç

CATEGORIES
Share This