Kujdes/ Austria nuk njeh patentë shoferët kosovarë, gjobë dhe kthim mbrapa për shoferët
Shteti i Austrisë ende nuk po i njeh patentë-shoferët e lëshuar nga institucionet e Kosovës. Përveç gjobës, shoferët kosovarë që po futen në territorin e Austrisë po detyrohen që të kthehen pas, shkruan Gazeta Sinjali.
Një sinjalizues që ishte nisur sot për në shtetin austriak tha për Sinjalin se Policia Kufitare në Austri nuk ia ka njohur patentë-shoferin kosovar dhe se për këtë arsye ai është gjobitur me 200 euro gjobë.
Për më tepër, ai ka thënë se oficerët kufitarë po i kthejnë shoferët të cilët nuk posedojnë patentë-shoferi të ndonjë shteti tjetër.
Ai ka apeluar te qytetarët që nisen drejt Austrisë që ta kenë parasysh se në rast se posedojnë vetëm patentë-shofer kosovar do të gjobitën dhe do të kthehen mbrapsht.
Lidhur me mosnjohjen e patentë-shoferëve të Kosovës nga shteti i Austrisë
Asokohe nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri patën thënë për Gazetën Sinjali se ky shtet nuk i njeh patentë-shoferët kosovarë, pasi që Kosova nuk është anëtare në OKB.
Megjithatë, qysh atëherë nga kjo ambasadë kishin thënë se janë duke bërë përpjekje për një marrëveshje bilaterale mes dy shteteve.
“…Njohja e patentë shoferëve të Republikës së Kosovës ndërlidhet me anëtarësimin e shtetit të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Përderisa Kosova nuk është pjesë e këtyre Konventave edhe patentë shoferët e RKS-së në disa Institucione nuk njihen. Megjithatë ne si Ambasadë jemi duke bërë përpjekje që të bëhet një Marrëveshje bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Austrisë për njohjen e patentë shoferëve të Republikës së Kosovës”, thuhej në përgjigjen e tyre.
Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Brendshme në atë kohë kishin mohuar se kanë informacion ose konfirmim zyrtar nga organet kompetente të Austrisë dhe se nuk ka një marrëveshje për njohje reciproke të patentë shoferëve mes Kosovës dhe Austrisë.
Sidoqoftë, nga kjo ministri kishin premtuar se do të angazhohen për ndërmarrjen e veprimeve konkrete me autoritetet kompentente, në momentin që do të marrin konfirmimin zyrtar lidhur me këtë çështje.