Për gati 5% janë rritur çmimet e artikujve ushqimor në Kosovë gjatë shtatorit
Shefi i Divizionit të Statistikave të Çmimeve, Ibish Asllani ka thënë se në muajin shtator ka pasur një ngritje të çmimeve të artikujve ushqimor për 4.9%.
Ai tha se ngritje më e lartë është vërejtur te vajrat dhe yndyrat për 28.2%, duke theksuar se kjo ngritje ka ndodhur edhe te derivatet e naftës dhe benzinës.
“Në muajin shtator çmimet e konsumit krahasuar me muajin gusht ka pasur një ngritje të çmimeve të butë për 0.1% dhe këto ngritje kanë qenë te mishi për 0.8%, qumështi, djathi dhe vezët ka qenë për 0.6% , ujit, pijes për 0.5%. mirëpo ka pasur rënie të çmimeve tek pemët -4.7%”.
“Shtatori i vitit 2021 me shtatorin e vitit 2020, në këtë periudhë kohore norma e indeksit të çmimeve të konsumit është 4.9% në këtë periudhë kohore. Ngritjet më të larta janë vërejt te vajrat dhe yndyrat dhe kanë pasur ngritje 28.2%. Kryesisht përgjegjësit e vajrave dhe yndyrave thonë se arsye e ngritjes së çmimeve është se ka pasur ngritje të çmimeve te lënda e parë dhe disa faktorë të tjerë kanë ndikuar”.
“Poashtu ngritje e çmimeve është vërejtur edhe te karburantet përkatësisht te derivatet e naftës dhe benzinës. Vërehet që është një ngritje e lehtë edhe e eksportit mirëpo e importit është 10%. Matja e çmimeve bëhet diku në njëmijë vendburime brenda muajit në periudhën kohore prej dhjetë deri në 20 të muajit në vendbanimet rurale dhe urbane. Diku ka një listë të artikujve 420 artikuj në 18 komuna të Kosovës dhe matja e çmimeve bëhet sipas klasifikimit të konsumit individual dhe është komplet në harmoni me klasifikimin ndërkombëtar”, tha Asllani në një intervistë për Ekonomia Online .
Në bazë të rritjes dy mujore, çmimet botërore të ushqimit në shtator arritën mesataren e tyre më të lartë mujore që nga tetori i vitit 2011.
Siç njofton Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO), indeksi mujor i Çmimeve të Ushqimit ishte mesatarisht 130 pikë, duke u rritur me 1.5 pikë ose 1.2 për qind nga gushti i nxitur nga shtrëngimi i kushteve të furnizimit dhe kërkesa e fortë për produktet kryesore si gruri dhe vaji i palmës.