Këto janë masat e reja anti-Covid që pritet të miratohen nga Qeveria e Kosovës
Ditëve në vazhdim pritet të bëhet miratimi i masave të reja antiCovid-19. Ndryshimet nuk pritet të jenë të mëdha nga ato paraprake që u vendosën me 27 shtator. Maska do të vazhdojë të mbesë, ora policore do të ndryshohet si dhe orari i gastronomisë.
Kështu bëri të ditur për Insajderin drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës Sazan Ibrahimi, i cili njoftoi se në këtë takim kanë marrë pjesë vetëm dy kryetarë komunash, pasi MSH-ja nuk ka njoftuar me kohë për takimin e sotëm
Ibrahimi tha se komunat kanë propozuar që të hiqet ora policore dhe maska kur një person është i vetëm në ambient të jashtëm, por kjo nuk është miratuar nga MSh-ja.
Ibrahimi bëri të ditur se do të ketë ndryshime sa i përket lirisë së lëvizjes dhe orarit të gastronomisë
Takimi ishte informues, jo koordinues. Kanë marrë pjesë vetëm kryetari i Mamushës dhe Suharekës. Ora policore do të jetë nga ora 00:00-05:00, ndërkaq orari i gastronomisë do të zgjatet deri në orën 23:00”, ka deklaruar Ibrahimi për Insajderin.
Ai tha se në takimin e sotëm AKK-ja ka paraqitur edhe listën e shteteve në të cilat nuk ka orë policore dhe maskat nuk janë të obligueshme në ambiente të jashtme, por që nuk është marrë parasysh nga Gexha-Bunjaku.
Theksojmë se, ushtruesja e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, sot ka takuar përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës, me të cilët ka diskutuar masat anti-Covid.