Abdixhiku: Si LDK 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari, siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se Kosova tregoi maturi në procesin zgjedhor, derisa ka uruar fituesit e të gjitha partive politike.
“Procesi zgjedhor përfundoj, e po përfundon edhe numërimi zyrtar i votave të fundit të rregullta e me kusht pa dallim. Si vend treguam maturi demokratike, në votim, organizim e pranim të rezultateve. Një standard që e marrim si të qenë por që në thelb është vlerë. Fitues, për këtë, jemi të gjithë. I uroj të gjithë kandidatët e të gjitha partive për fushatën e bërë; në veçanti i uroj të gjithë fituesit e deritanishëm – me shpresë shumë se do të shërbejnë me dinjitet e përkushtim ndaj secilit qytetar në komunat tona e të tyre pa dallim”.
Ai tha se “si LDK 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim”, derisa rezultatin e këtyre zgjedhjeve e cilëson rikthim të partisë që e drejton.
“Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë – dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë. Veprimtarët tanë i falënderoj për rezultatin e arritur. Një rikthim vërtetë i madh. Vend për mburrje, festë e garë fituesish s’ka. Mbështetja për ne s’është kundër askujt tjetër. Prandaj të punojmë për raundin e ri; e të qëndrojmë kokëulur por krenarë përballë qytetarëve tanë. Besimin e tyre duhet ta kujdestarojmë me plot kujdes si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Politikën duhet ta shohim vetëm si përgjegjësi”.