Rriten çmimet në Kosovë, shtrenjtohet mielli, buka e vaji

Shumica e furrave në Kosovë kanë filluar rritjen e çmimit të bukës, si pasojë e rritjes së çmimit të miellit. Një kilogram miell aktualisht kushton 40 cent, nga 28 cent më parë. Kurse një bukë tani kushton 40 cent, nga 30 më herët. Çmimet janë ngritur edhe për disa produkte të tjera. Paga minimale në Kosovë është 170 euro.

Ecuria e rritjes së çmimeve, sidomos të atyre ushqimore, gjatë shtatorit ishte e vrullshme. Ndërkohë, në këto ditë të tetorit, hapi i rritjes së çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm është bërë edhe më i madh. Rritje çmimi është vërejtur edhe tek mielli e buka.

Buka, në shumë furra në Kosovë tregtohet tani me çmime të reja. Te të gjitha llojet e bukës janë ngritur çmimet me nga 10 e 15 centë. Edhe mielli po tregtohet gjithandej në Kosovë me çmime të rritura.

Kryetari i Shoqatës së Mullistëve në Kosovë, Bashkim Zejnullahu, ka thënë se rritja e çmimit të miellit do të vazhdojë ende.

Sipas tij, çmimi i miellit në vend është rritur 100 euro për ton, mirëpo pritet të ketë edhe rritje më të madhe. “Çmimet e miellit janë shtrenjtuar pak, diku 29 cent ka qenë kg i miellit, tani është rreth 40 cent, ndërkaq për 100 euro është rritur për 1 ton miell”.

Krahas kësaj, ai gjithashtu tha se arsyeja kryesore e shtrenjtimit të çmimit të miellit janë rritjet e çmimit të grurit në bursën e tregut botëror, sasia e vogël e prodhimit, si dhe kërkesa e madhe për blerje.

Tashmë shumica e furrave në Kosovë kanë filluar ta shesin bukën me nga 40 cent, nga 30 sa ishte javë më parë. Po abuzohet me ngritjen e çmimeve Kryetari i OJQ Konsumatori, Selatin Kaqaniku, thotë se ka abuzim dhe paarsyeshmeri në rritjen e këtyre çmimeve.

Kaqaniku deklaroi se çmimet e artikujve në Kosovë janë më të larta se ato në Europë, dhe theksoi se Kosova nuk ka treg që i përballon këto çmime.

“Ne po shohim se shumë çmime po rriten pa ndonjë arsye dhe shpjegim. Mendoj se ka abuzime me çmimet ne treg. Ngritja e çmimeve tek ne është bërëe një lloj mode, e ka ngritur komshiu, hajt ta ngremë edhe ne. Sipas mendimit tim, të gjitha çmimet në Kosovë janë më të larta se sa në vende të ndryshme të Europës, kjo edhe nëse krahasohet me pagat që janë ne vendin tonë”

Rritje çmimi ka pasur edhe tek vaji ushqimor. Vaji ushqimor i lulediellit nga rreth 1 euro për litër sa ka kushtuar më parë është rritur në 1.40 deri në 1.90 euro për litër.

Ndërkohë, të gjithë artikujt që konsumohen nga qytetarët kanë pasur rritje të çmimit. Sipas ASK-së, në gusht 2021, çmimi i bukës dhe drithërave u rrit me 1.9%, i djathit dhe i vezëve me 7.4%, e rritje shumë më të madhe patën vajrat dhe yndyrat ushqimore me 28.5%, krahasuar me çmimet që kishin në gusht të vitit 2020.

Për të parë nivelin e rritjes së madhe të çmimeve nëpër shitoret, marketet dhe supermarketet në Kosovë, mjafton për të parë një statistikë të bërë publike në medie.

Sipas këtyre statistikave, nëse në vitin 2019 një konsumator do të blinte 1 kilogram miell gruri, 1 litër vaj, 1 kilogram djathë si dhe 30 copë vezë, me një mesatare të çmimeve të atëbotëshme, do t’i nevojiteshin 8 euro e 66 centë. Një vit më pas, në 2020, të njëjtëve për po të njëjtat produkte do t’iu duheshin 8 euro e 94 centë, pra 0.28 centë më shumë.

Ndërsa tani në tetor të 2021-shit, pas rritjes së vrullshme të çmimeve të produkteve ushqimore pak a shumë do të nevojitesh përafërsisht përgjysmë më shumë para. Sepse tani një kilogram miell kushton nga 55 deri në 70 e më shumë centë, një litër vaj luledielli 1,55 deri në 1,70 centë, ose një litër vaj misri goxha i konsumuar në Kosovë tani kushton 2, 70 centë, një kilogram djathë tregtohet tani me çmimin minimal mbi 5 euro, ndërsa 30 vezë tani kushtojnë nga 2,80-3,50 centë.

Llogaria del se tani, pra për këto produkte që me 2020 është dashur të kesh 8, 94 centë, duhet të kesh së paku diku rreth 13 euro.

Paga minimale 170 euro

Aktualisht paga minimale në Kosovë është 170 euro. Mirëpo, kryeministri Albin Kurti ka premtuar se paga minimale në vend të bëhet 250 euro, do të përjashtohet tatimi nga të ardhurat personale dhe do të rishikohet vazhdimisht ngritja e të ardhurave.

Në Kongresin zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Kurti ka thënë se punësimi dhe drejtësia janë prioritet i kësaj Qeverie, me theks të veçantë në tregun e punës.

“Për ne punësimi dhe drejtësia janë prioritet dhe angazhim ditor që të realizohen, sidomos në tregun e punës. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kemi pasur rritje ekonomike prej 10.4% dhe tashmë është e sigurt se rritja këtë vit do të jetë më e madhja që nga paslufta. Këtë rritje, Qeveria jonë dhe e juaja, do ta kanalizojë drejt zhvillimit ekonomik. Kjo nënkupton se do të krijojmë kushte që mundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe do ta përafrojmë tregun e punës me arsimin profesional.

Prioritet për ne është punësimi i grave, i të rinjve dhe i komuniteteve joshumicë. Jemi duke punuar në amandamentimin e Ligjit të Punës dhe do të sigurojmë zbatimin rigoroz të tij. Kjo do të thotë se çdo vend pune duhet të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe të ketë jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë”.

Si rrjedhojë e çmimeve të ngritura në Kosovë ka pasuar edhe rritja e inflacionit mujor dhe vjetor në Kosovë, edhe pse vendi ynë ka në përdorim euron si valutë zyrtare, pra valutë të fortë dhe të fuqishme që do të duhej t’i bënte ballë goxha fuqishëm lëvizjeve inflatore.

Të dhënat e muajit gusht 2021, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë se ka pasur rritje të inflacionit mujor dhe vjetor. Inflacioni mujor ishte më i lartë në një mesatare prej 1.2% në gusht 2021, krahasuar me korrikun 2021. Por, norma vjetore e inflacionit e matur në gusht të 2021, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ishte më e lartë në një mesatare prej 4.7%.

Në muajin gusht 2021, inflacion vjetor shënuan edhe vendet e rajonit, ku Shqipëria pati ngritje të çmimeve me 2.4%, Mali i Zi me 3.1%, Maqedonia e Veriut me 3.6%, derisa Serbia shënoi inflacionin më të lartë në rajon për këtë periudhë me 4.3%, mirëpo niveli i infacionit te ne ishte më i larti.

Ndërsa, dihet se inflacioni në të shumtën e rasteve përcaktohet si pasojë e një rritjeje të vazhdueshme e nivelit të përgjithshëm të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, megjithatë, pritjet e ekonomistëve janë që inflacioni në 2021 të zbutet.

CATEGORIES
TAGS
Share This