“Është flamuri më i bukur n’botë…”/ Shtatë vjet nga droni në Beograd
Më 14 tetor të vitit 2014, në orën 21:27 është ndërprerë ndeshja Serbi-Shqipëri që luhej në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian France 2016.
Ndërprerja ishte paralajmëruar po thuaj që para fillimit: Ishte ndaluar pjesëmarrja e tifozëve të Kombëtares shqiptare në Beograd, ndërsa tifozët serbë në stadium me fishkëllima e britma penguan intonimin normal të Himnit Kombëtar Shqiptar.
Në këto kushte, të rënduara dhe të vështira për ekipin shqiptar, filloi ndeshja.
Arbitri britanik, Martin Atkinson nuk e kishte të lehtë të ndante gjyqësinë që, sidomos nga lojtarët, tifozët, por edhe zyrtarë serbë që gjendeshin aty, konsiderohej betejë lufte.
E tensionuar, me epërsi të dukshme shqiptare, ndeshja vazhdoi kështu deri në minutën 42.
Dhe në atë minutë, nga qielli i Beogradit, sipër tifozëve, më ngadalë e duke valëvitur nga një dron, në fushën e lojës, afrohej flamuri me hartën e viseve etnike shqiptare, me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit dhe me mbishkrimin “AUTOCHTHONOUS”.
Të gjithë mbeten të habitur e të heshtur duke shikuar çudinë që zbriste nga lartësia.
Pastaj një futbollist serb e mori në hapësirë, pa rënë në tokë, flamurin me simbole shqiptare e lojtarët e kombëtares vrapuan menjëherë pas tij duke ia rrëmbyer nga duart.
Pas kësaj, topi u “harrua” dhe filloi beteja fizike ndërmjet lojtarëve të dy ekipeve. Nga tribunat e shikuesve zbriten spektatorët serbë të cilët mësyn lojtarët shqiptarë. Një konfrontim fizik i pabarabartë të cilin lojtarët e kombëtares e braktisën duke kërkuar shpëtim në zhveshtoren e vet.
Pjesëtarët e sigurimit, në vend se të mbronin lojtarët shqiptarë, u bënë bashkë me spektatorët e lojtarët serbë duke i goditur me grushte e karrige derisa ata sa u futën në kthinën e vet të stadiumit.
Në kushte të tilla nuk kishte si të vazhdohej loja.
Lojtarët shqiptarë, pasi e morën veten, e dorëzuan flamurin e rënë në fushë te zyrtarët e UEFA-s dhe rreth orës 3 të mëngjesit u kthyen në Tiranë.https://cdn1.adplugg.io/apusers/serve/A48217021/file/53141/index.html?clickTag=null&clickTarget=_blank
Zhvillimi i ndeshjes së ndërprerë Serbi – Shqipëri pastaj vazhdoi në tryezat politike.
Politikanë serbë na quajtën të pa civilizuar e vizita e paraparë e Edi Ramës në Beograd u shty për më shumë tri javë, pasi vëllai tij akuzohej ta kishte lëshuar dronin.
E kur shkoi Edi Rama në Serbi, në konferencën shtypit me Aleksandar Vuçiqin, natyrisht se nuk u harruan droni, ndeshja e as Kosova.
Batutat dhe fjalët lakonike thuheshin anglisht e shqip e serbisht me cinizëm por edhe me maturi.
Dhe këtu përfundoi “pjesa e parë” politike për ta vazhduar pjesa e dytë sportive e ndeshjes:
Komisioni Disiplinor i UEFA-së vendosi më 24 tetor 2014 që ndeshjen e ndërprerë ta regjistrojnë në favor të Serbisë, derisa dy kombëtaret të dënoheshin me nga 100 mijë euro, Serbisë t’i hiqeshin dy pikë dhe dy ndeshje t’i luante pa tifozë.
Pas ankesës së Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, më 10 korrik të këtij viti, 3 pikët e ndeshjes kaluan në anën e Shqipërisë.
Në ndërkohë ishte “zbuluar” edhe autori i dronit, Ismail Morina, Ballisti i cili bënte jetë të dyfishtë: Në famën e flamurit të tij e në dyshimin që ai të jetë vërtet autori i lansimit dhe i fshehjes e ruajtjes nga sigurimi serb nga i cili, thoshte ai, kërkohej për t’u vrarë.
Kështu deri në prag të ndeshjes që u zhvillua më 8 tetor në Elbasan Arena ndërmjet Shqipërisë e Serbisë, kur Ismail Morina u burgos me akuzë për armëmbajtje pa leje dhe me posedim të biletave të falsifikuara për këtë ndeshje.
Takimi Shqipëri – Serbi përfundoi me rezultatin 0: 2 dhe ai la shumë për të dëshiruar, sidomos për angazhimin e lojtarëve në fushë dhe të spektatorëve në tribuna. Edhe këtë radhë në ndeshje u fut politika: Edi Rama uroi fitoren e ekipit serb ndërsa tifozë të kuqezinjve, bashkë me udhëheqjen e lojtarët u “armatosen” për betejën në Jerevan.
Mrekullia ndodhi në kryeqytetin armen: Ndeshja Armeni – Shqipëria përfundoi me rezultatin 3:0 dhe Serbia, tash, ashtu siç tha kapiteni i Kombëtares Lorik Cana, kampionatin evropian France 2016, do ta shikojë nga televizioni e me këtë edhe ndeshjet e Shqipërisë në këtë garë në të cilën ajo është për herë të parë.