Arrestohet një ish-postier i Postës së Kosovës, dyshohet se nuk i dorëzoi mbi 2000 dërgesa

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një punonjës të Postës, me inicialet M.B., i dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, raporton Gazeta Sinjali.

Arrestimi i tij u bë gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, ku u gjetën dhe u sekuestruan dëshmi (dërgesa postare) të pa dorëzuara nga ai, i cili ka qenë përgjegjës për dorëzimin e tyre te palët e adresuara, gjatë kohës sa ka qenë punëtorë i Postës së Kosovës.

Policia njofton se dëshmitë dhe provat të cilat u gjetën dhe u sekuestruan gjatë bastisjes janë:

  • 682 Shkresa të Gjykatës,
  • 512 Fatura të tatimit mbi pronë,
  • 337 Fatura të Valës,
  • 57 Dërgesa Ndërkombëtare,
  • 200 Shkresa të Trustit,
  • 197 Fatura të Bankave,
  • 7 Shkresa të Ministrisë së Bujqësisë,
  • 18 Dërgesa nga Komuna e Lipjanit,
  • 1 Dërgesë nga AKP,
  • 14 Dërgesa nga Përmbaruesit privat,
  • 1 Dërgesë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në total, policia gjeti 2026 dërgesa të ndryshme, të cilat i dyshuari, ndonëse e kishte obligim, nuk i kishte dorëzuar te palët e adresuara.

“Me këto veprime personi i dyshuar (M.B,) dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoriteti zyrtar’ sipas nenit 414 të kodit penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

I dyshuari, pas intervistimit, është ndaluar për 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë

CATEGORIES
Share This