SHBA hap dyert vetëm për turistët e vaksinuar
ShBA do të lejojë hyrjen për ata shtetas evropianë që janë vaksinuar me një nga vaksinat të cilat janë miratuar nga agjencia federale amerikane e Ushqimit dhe Barnave të cilat janë Moderna, Pfizer dhe Janssen e kompanisë “Johnson & Johnson”.
Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar të tre këto vaksina, si dhe vaksinën Astra Zeneca.
Kjo është arsyeja pse shumë udhëtarë shqetësohen se vaksina Astra Zeneca, me të cilën shumica e britanikëve dhe 70 milionë shtetas të BE-së janë vaksinuar, mund të mos pranohet për udhëtime në SHBA kur të hiqet ndalimi i udhëtimeve.
Pavarësisht kësaj, burime jo zyrtare nga FDA u kanë konfirmuar mediave amerikane se person i vaksinuar do të konsiderohet çdo person që është vaksinuar plotësisht me një vaksinë të miratuar nga FDA ose Organizata Botërore e Shëndetit. Nëse kjo ndodh lista e vaksinave shtohet edhe me vaksinat kineze Sinopharm dhe Sinovac.
Komisioni i BE-së dhe organizatat ndërkombëtare të udhëtimit prej muajsh kanë bërë thirrje për heqjen e ndalimit të hyrjes për në SHBA, masë që është në fuqi për rreth një vit e gjysmë.
Brenda BE-së, Portugalia tani është vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit. Rreth 84% e popullsisë prej 10.3 milionë banorëve në këtë vend tani është plotësisht e vaksinuar.