Rikthehet Superliga, sot zhvillohen tri ndeshje interesante
Pas pushimit dy-javor për shkak të ndeshjeve të kombëtareve për eliminatoret e Kupës së Botës, sot rikthehet edhe Superliga e Kosovës në futboll.
Përveç kësaj është ndryshuar edhe orari i fillimit të ndeshjeve në Superligë. Tani duelet nisin me fillim nga ora 16:00, një orë më herët se dy xhirot e para të luajtura deri tash në sezonin e ri.
Sot në program janë tri ndeshje tejet interesante në Superligë.
Drenica e pret Prishtinën. Kampionia në fuqi nuk e ka nisur mbarë sezonin e ri dhe momentalisht ka vetëm një pikë pas dy xhirove dhe do ta kërkojë me ngulm fitoren sot ndaj Drenicës që gjendet në vendin e dytë me katër pikë.
Ballkani – Ulpiana është sfida tjetër në program gjatë ditës së sotme. Suharekasit kanë katër pikë pas dy xhirove dhe janë favorit përball ekipit lipjanas që ka vetëm një pikë.
Ndeshja tjetër është ajo mes Malishevës dhe Dritës. Malishevasit prijnë momentalisht në tabelë dhe do të synojnë një rezultat pozitiv ndaj ish-kampiones së Kosovës. Të dy ekipet kanë nga katër pikë pas dy xhirove të para.