Skandali me vaksina – mbi 130 mijë dozave u ka skaduar afati i përdorimit
Menaxhimi i dobët i situatës me pandeminë dhe dështimi i vaksinimit, ka bërë që mbi 130 mijë vaksinave AstraZeneca, donacion i Norvegjisë t’u skadojë afati të martën më 31 gusht. Në MSH kanë konfirmuar skadimin e një sasie por nuk kanë treguar se sa. Kosova është vendi i fundit sa i përket vaksinimit në Evropë dhe i pari sa i përket infektimeve dhe viktimave.
Një sasi enorme vaksinash AstraZeneca, donacion nga Norvegjia u ka skaduar afati të marten, i kanë thënë burime të përfshira në proces, Gazetës Insajderi.
Skadimin e afatit të vaksinave e ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë, por nuk ka folur për sasinë, meqë sipas tyre ato do të numërohen pasi të kthehen nga komunat dhe qendrat tjera të vaksinimit.
“Në bazë të llogaritjeve tona dhe në bazë të të dhënave të vaksinimit, mbi 131 mijë doza u ka skaduar afati. Ato duhet të asgjësohen sepse nuk mund të përdorën më”, ka thënë një burim brenda Ministrisë së Shëndetësisë në kushte anonimiteti.
Në fillim të korrikut, Mbretëria e Norvegjisë i kishte dhuruar Kosovës një donacion prej 182 mijë e 900 vaksina të prodhuesit britanik.
Por, menaxhimi i dobët nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ka bërë që këto vaksina mos të shfrytëzohen në tersi. Nga kjo sasi vaksinash, më 31 korrik afati u ka skaduar 12 e 500 dozave.
Për afatet e vaksinave ka folur edhe Ministria Norvegjeze e Shëndetësisë. Në një përgjigje për telegrafin javë më parë, kanë sqaruar datat e skadimit.
“Në total, 12 500 doza skadojnë më 31 korrik, kurse 170 400 dozat e mbetura skadojnë më 31 gusht”, kishte deklaruar për Telegrafin, sekretari i shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë në Norvegji dhe shërbimeve të kujdesit, Erlend Svardal Boe.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kishte konfirmuar se 12 mijë vaksina të AstraZenecas kanë afat deri më 31 korrik, kurse pjesa tjetër deri më 31 gusht 2021.
Në fillim të korrikut, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar 182,900 doza të vaksinës AstraZeneca nga Norvegjia. Por, një sasie të këtyre vaksinave anti COVID-19 janë pa afat tashmë.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar për Insajderi se nga sot, 1 shtator nuk do të administrojë asnjë nga 182 mijë e 900 dozat e vaksinës AstraZeneca.
“Ekipet e vaksinimit kane administruar një numër të konsideruar të këtyre dozave, sidomos për ata që dozën e parë e kanë marrë AZ dhe të dytën gjithashtu AZ, meqë edhe gjate ditës se sotme është duke u vaksinuar edhe më këtë vaksinë”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Insajderin.
Por Ministria e Shëndetësisë nuk ka treguar se sa dozave u ka skaduar afati.
“Një prerje të asaj se sa doza nuk janë përdorur nga ky donacion, mund ta bëjmë pasi të kthehen edhe ato doza që janë ndarë nëpër Komuna, por që kanë tepruar”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Insajderin.
Sipas të dhënave publike, deri sot në Kosovë janë administruar 825.745 doza të vaksinave.
Kosova, aktualisht është pika e zezë në Evropë sa i përket numrit të infektimeve dhe vdekjeve. Madje edhe Bashkimi Evropian e ka hequr shtetin e Kosovës nga lista e vendeve të sigurta.
Aktualisht Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), është duke u përballur me fluks të madh të pacientëve të dyshuar se janë me COVID-19, ka thënë drejtori i këtij shërbimi, Valbon Krasniqi.
Sipas tij, më 30 gusht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në shtatë spitalet e përgjithshme rajonale, kanë qenë të shtrirë 1.284 pacientë, ndërkohë që siç thotë ai, ky numër mund të rritet.
“Në shumicën e spitaleve të përgjithshme, sikurse edhe në klinikat e QKUK-së, situata është shumë e rënduar për faktin se jemi detyruar që shumë shërbime të tjera të pezullohen dhe të zëmë shtretërit për pacientët me COVID-19. Në disa spitale, madje kemi filluar që edhe dhomat e personelit shëndetësor t’i shndërrojmë në dhoma për pacientë, siç është rasti në spitalin e Gjilanit dhe në spitalin e Ferizajt. Po ashtu, në QKUK, tashmë kemi pesë klinika që janë shndërruar tërësisht në njësi për COVID-19”, ka thënë për Evropën e Lirë, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
Të dhënat zyrtare flasin se shumica e pacientëve të vdekur dhe infektuar janë të pavaksinuar.
Javët e fundit në Kosovë, rastet që kanë përfunduar me fatalitet nga COVID-19 janë shtuar dhe më 29 gusht është shënuar dita më tragjike, me 36 viktima, që prej kur është paraqitur pandemia, në mars të vitit të kaluar. Më 30 gusht, të hënën, po ashtu janë shënuar 20 viktima nga COVID-19.
Ndërkohë, më 30 gusht kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër pandemisë, të cilat sipas Qeverisë së Kosovës, kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit